Lidhje me faqet e vjetra të PKG

Faqet e ndërkombëtare të PKG transferohen gradualisht në format të ri. Ju mund të gjeni faqet e mëparshme qe tashmë jane përmirsuar (me të gjitha përbërjet e tyre) në linkun e mëposhtëm.

Artikull i Departamentit të Marrëdhënieve Ndërkombëtare të KQ të KKE

Për Forumin Ndërkombëtar Antifashist të Moskës

Më 23 prill 2025, në Moskë, u mbajt Forumi Ndërkombëtar Antifashist (FNA), i organizuar nga Partia Komuniste e Federatës Ruse (PKFR), me mbështetjen, siç u tha, të qeverisë dhe Presidencës ruse.

Sipas njoftimeve, në këtë FNA morën pjesë 450 delegatë nga 91 shtete, që përfaqësonin 164 organizata. Sigurisht, deri më tani organizatorët nuk e kanë publikuar listën e organizatave pjesëmarrëse. Në një listë paraprake që arriti në duart tona, Greqia përfaqësohej nga një delegacion i degës greke të së ashtuquajturës Platformë Botërore Anti-Imperialiste (PBI), i përbërë nga 2... koreano-jugorë (!), si dhe një grua greke, e cila përfaqësonte degën greke të "Frontit Ndërkombëtar Anti-Imperialist" gjithashtu të padukshëm në Greqi. Partia Komuniste e Greqisë (KKE), për arsye konkrete, të cilat do t'i trajtojmë më poshtë, as nuk mori pjesë dhe as nuk dërgoi ndonjë mesazh në këtë aktivitet, siç po thuhet e përhapet në mënyrë të rreme. Megjithatë, gjërat qesharake nuk mbarojnë, siç duket, me përfaqësimin e Greqisë. Është karakteristike se Turqia, ndër të tjera, gjoja përfaqësohej nga partia nacionaliste «Vatan» (Atdheu), me origjinë ish-maoiste, e cila tani mbështet hapur Presidentin aktual të Turqisë, T. Erdogan nga pozita gjoja "anti-imperialiste" ndërsa "gojët e liga" e lidhin atë drejtpërdrejt me Shtabin e Përgjithshëm të forcave të armatosura turke.

Bazuar në sa më sipër, na duhet të vendosim një pikë këtu dhe të mos e lodhim më tej lexuesin. Megjithatë, nuk mund ta kundërshtojmë faktin se, në këtë FNA morën pjesë (edhe) Parti Komuniste dhe Punëtore, të cilat marrin pjesë edhe në Takimet Ndërkombëtare të Partive Komuniste dhe Punëtore (TNPKP). Përveç kësaj, ne kemi theksuar edhe në të kaluarën se në TNPKP, ku bën pjesë edhe KKE, po zhvillohet një luftë e ashpër për shumë çështje të rëndësishme politike dhe ideologjike. Kjo është arsyeja pse, mendojmë se ka kuptim të merremi më shumë me këtë FNA të 2-të.

Në një rrugë problematike të vërtetuar

Takimi i 1-rë i FNA u mbajt 2 vjet më parë në Minsk dhe, ashtu si atëherë, edhe tani tema ishte "lufta antifashiste". Kjo duket qartë edhe nga titulli i Forumit, si dhe nga vetë deklaratat e Presidentit të Partisë Komuniste të Federatës Ruse, Gennady Zyuganov, i cili vuri në dukje se Forumi i 2-të Ndërkombëtar Antifashist synon të bashkojë të gjitha forcat "e majta", "progresive" dhe "patriotike" të botës kundër rrezikut të fashizmit dhe në mbrojtje të së ashtuquajturës "botë ruse", e cila është një nga "dogmat" themelore të politikës së jashtme aktuale të Rusisë për të justifikuar veprimet e saj ndërhyrëse jashtë Rusisë.

Pra, në praktikë, shohim se në emër të një qëllimi pozitiv, të luftimit kundër fashizmit, po favorizohet linja e vërtetuar si e gabuar dhe pa rrugëdalje e formimit të "fronteve antifashiste", dhe madje në aleancë me forcat dhe qeveritë borgjeze që marrin pjesë hapur në plaçkitjen e popujve dhe rindarjen e botës, e cila kryhet me mjete politike dhe ushtarake. Një politikë aleancash që përçan në copa strategjinë e Partisë Komuniste për ndryshimin revolucionar të shoqërisë dhe, për më tepër, shpëlan përgjegjësitë e forcave borgjeze, të cilat në praktikë mbështesin kapitalizmin dhe përmes "fronteve" të tilla paraqiten si "progresive", "patriotike" dhe "antifashiste".

Le të kujtojmë se Breht-i shkroi se «fashizmi mund të luftohet vetëm si kapitalizëm në formën e tij më brutale dhe shtypëse, si kapitalizmi më i paturp dhe më i pabesë. Pra, si mundet që një kundërshtar i fashizmit të tregojë të vërtetën për fashizmin kur nuk dëshiron të thotë asgjë për kapitalizmin, i cili e shkakton atë?»

Vështrim me një sy qorr

Në Apelin e dalë, i cili ishte dokumenti përfundimtar i këtij Forumit Ndërkombëtar Antifashist (FNA), nënvizohen përgjegjësitë e SHBA-ve, NATO-s dhe BE-së, të cilat mbështetën forcat fashiste për të promovuar planet e tyre si në Ukrainë ashtu edhe në shtetet Baltike.

Megjithatë, ky nënvizim i saktë mbetet i paqartë dhe i njëanshëm kur hesht edhe përgjegjësitë e borgjezisë ruse në zhvillimin e koncepteve fashiste. Në tekstin e këtij Apeli  nuk përmendet asgjë për;

• Fëmijët në shkollat e Rusisë që  "vaditen" me helmin e antikomunizmit, p.sh., të Solzhenicini-t të njohur antisovjetik, i cili justifikoi bashkëpunëtorët rusë të nazistëve dhe ishte një admirues i Frankos dhe mbështeti Pinochetin.

• Asgjë për mediat publike dhe private ruse që janë plot me antikomunizëm dhe fitoren e BRSS-së kundër Gjermanisë naziste e paraqesin si një sukses që supozohet se u arrit pa, dhe ndonjëherë pavarësisht, veprimeve të Partisë Bolshevike.

• Për faktin që udhëheqja aktuale ruse u rekomandon publikisht të rinjve veprat e Ivan Ilyin, ideologut rus të fashizmit, ndërsa në një universitet qendror të Moskës kanë hapur shkollë në nder të tij, e cila drejtohet nga filozofi nacionalist me tipare fashiste, Al. Dugin.

• Asgjë nuk nënvizohet për faktin se një nga pretekstet kryesore të qeverisë aktuale ruse në fillim të luftës ishte se kështu do të korrigjonte shtrembërimet e politikës së Leninit dhe të BRSS-së për Ukrainën dhe do të arrinte «dekomunistizimin» e vërtetë, duke çuar kështu ujë në mullirin e të gjithë antikomunistëve.

• Asgjë as për ringjalljen e ideve fashiste në Ukrainë, e cila nuk ishte një akt i menjëhershëm, por zgjati me vite me kultivimin e pikëpamjeve të Goebbelsit për gjoja "gjenocidin", të cilat patën edhe "mbështetjen materiale" të borgjezisë ruse, pasi në periudhën 1991-2013 (d.m.th periudha kur idetë fashiste zunë rrënjë atje) buxheti ukrainas pati një përfitim prej afërsisht 250 miliardësh dollarë falë kredive preferenciale të Rusisë dhe çmimeve speciale për energjinë ruse.

Riciklimi i "fashizmit të eksportueshëm"

Përkundrazi, në dokumentet e FNA-së dikush do të gjej përpjekjen për të ringjallur përpunimet e gabuara, sipas mendimit tonë, të Komidern-it, i cili i ndau/klasifikoi shtetet borgjeze në "shtete fashiste" dhe "shtete demokratike", si dhe përkufizimin problematik të dhënë nga Gj. Dimitrov-i mbi fashizmin në Kongresin e 7-të të Komidern-it si «(...) diktaturë e hapur terroriste e elementëve më reaksionarë, më shovinistë, më imperialistë të kapitalit financiar». Mbi këtë bazë, ringjallen pikëpamjet e gabuara rreth "eksportit" të fashizmit në shtete të tjera nga shtetet fashiste ose nga shtete me tipare fashiste, dhe në praktikë, promovohet mbështetja e forcave borgjeze, madje edhe për shtetet kapitaliste që flasin për antifashizëm.

Partia Komuniste e Greqisë (KKE) ka vlerësuar se: «Kongresi i 7-të e ndau plotësisht "pushtetin" e kapitalit financiar nga interesat e kapitalit industrial. Njëkohësisht, ndau/klasifikoi plotësisht edhe shtetet kapitaliste në fashiste dhe demokratike. Si pasojë e kësaj ndarjeje/klasifikimi, u forcua ideologjikisht aleanca e lëvizjes punëtore dhe komuniste me një pjesë/seksione të forcave dhe shteteve borgjeze dhe, u dobësua gatishmëria klasore kundër klasës kundërshtare.»

Sot, kur disa i referohen atij përkufizimi të fashizmit në mënyrë të vetme, ata injorojnë faktin se Internacionalja Komuniste, përpara këtij përkufizimi të fashizmit, kishte dhënë një përkufizim tjetër në Programin e saj (viti 1928), në të cilin, ndër të tjera, vinte në dukje se «nën kushte specifike historike, rrjedha e agresionit borgjez, imperialist, reaksionar merr formën e fashizmit», ndërsa karakteristikat e fashizmit u paraqitën në detaje në Rezolutën mbi Situatën Ndërkombëtare në Kongresin e 6-të të Internacionales Komuniste (viti 1928).

Gjithashtu, injorohet fakti që përkufizimi i njohur i Dimitrov-it në vitin 1935 u dha atëherë në rrethana krejt të ndryshme historike, kur fuqitë imperialiste po planifikonin zhdukjen e shtetit të vetëm socialist në botë, ndërsa nga ana e vet BRSS-ja kërkonte të shkaktonte një përçarje midis fuqive imperialiste dhe të përfitonte nga kontradiktat e tyre. Pra, ky përkufizim, merret sot larg nga kushtet historike që e "lindën" atë dhe bëhen përpjekje për ta transferuar atë mekanikisht dhe aspak shkencërisht në kushtet aktuale, ku BRSS nuk ekziston, ndërsa situata që është krijuar si në Rusi ashtu edhe në Kinë nuk është në asnjë mënyrë në përputhje me parimet e socializmit. Kina është një superfuqi kapitaliste, që konkurron kundër SHBA-ve për supremaci në sistemin global imperialist.

Komunistët demaskojnë të gjitha llojet e pretendimeve të imperialistëve

Së fundmi, nuk mund të mos komentojmë se ky Forum Ndërkombëtar Antifashist (FNA) u realizua ndërsa po zhvillohet lufta imperialiste në Ukrainë, dhe madje në Moskë, kryeqytetin e një vendi kapitalist, ku udhëheqja e të cilit është e përfshirë hapur në luftë dhe përdor si alibi antifashizmin për të fshehur nga populli shkaqet e vërteta të luftës, të cilat qëndrojnë në ndarjen tokave pjellore, të burimeve të rralla, në ndarjen e energjisë, rrugët e tubacioneve të transportit të gazit, portet, Zona Ekskluzive Ekonomike në Detin e Zi, pjesët e tregut, etj.

Presidenti i Rusisë, V. Putin, i cili këto ditë ka shkëmbyer fjalë të mira dhe ka ndarë Ukrainën me ata që ndër të tjera quhen "fashistë" të qeverisë amerikane, e përshëndeti ngrohtësisht punimet e këtij Forumi në fjalë, duke sinjalizuar përafrimin e organizatorëve të FNA-së pas qëllimeve imperialiste të borgjezisë ruse, duke zhdukur kështu çdo dyshim që mund të ketë dikush në lidhje me qëllimet e vërteta të FNA-së në emër të luftës antifashiste.

Dhe, të mos harrojmë se, nëse në anën ukrainase po lufton Batalioni neo-nazist i Azov-it, i cili paraqitet nga udhëheqësit e BE-së pak a shumë si mbrojtës i lirisë dhe demokracisë, nga ana e Rusisë, ndër të tjera, po luftojnë edhe grupe neo-naziste, siç janë «Rusichët», «Legjioni Perandorak Rus», etj., të cilët paraqiten si mbrojtëse të vlerave të «botës ruse».

Ndërsa afrohet 9 maji, ku do të përkujtojmë 80-vjetorin e shkatërrimit të nazizmit nga BRSS, nga Ushtria e Kuqe dhe lëvizjet e armatosura partizane, komunistët do ta mbrojnë të vërtetën historike si nga forcat borgjeze që e heshtin ose e rishkruajnë atë, ashtu edhe nga ata që e shtrembërojnë ose kërkojnë ta shfrytëzojnë atë.

Ne do të mbrojmë domosdoshmërinë e identitetit të pavarur organizativ, politik dhe ideologjik të lëvizjes komuniste, duke kundërshtuar përpjekjet për ta integruar atë në planet imperialiste të njërës anë ose tjetrës të përplasjes ndër-imperialiste. Qoftë kjo të bëhet nën maskën e antifashizmit, të cilin e favorizon udhëheqja ruse, qoftë edhe nën maskën e "lirisë" dhe "demokracisë", të cilën e favorizon pala euroatlantike.

Rrugëdalja për popullin qëndron në aleancën antikapitaliste, e cila do të luftojë kundër politikës antipopullore dhe do t'i japë fund barbarisë së kapitalizmit, luftërave, krizave, aleancave imperialiste, shfrytëzimit, varfërisë, papunësisë, shtypjes, për t’u dhënë të drejtë luftërave dhe sakrificave të brezave të vjetër, për të hapur rrugën e plotësimit të ëndrrave dhe nevojat bashkëkohore të popullit me pushtetin punëtor - popullor, socializmin - komunizmin!

 

06.05.2025